Treguesit e inflacionit, që dolën më të lartë se sa pritej, shtynë arin drejt një rënie të fortë pasi shifrat mujore të inflacionit bazë dhe atij kryesor i tejkaluan parashikimet. Këto të dhëna nxitën një rritje të rendimenteve të bonove të Thesarit dhe të dollarit amerikan, ndërkohë që investitorët rritën pritshmëritë për shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare nga Rezerva Federale, gjë që ushtroi presion të ndjeshëm mbi metalin e çmuar.
Pavarësisht lëvizjes rënëse, ari arriti të siguronte mbështetje pranë nivelit 4,020 dollarë përpara se të rikuperohej drejt 4,060 dollarëve. Megjithatë, hapsira për rritje mbetet e kufizuar pasi blerësit po luftojnë për të vendosur një pozicion më të fortë ngjitës.
Në një këndvështrim afatshkurtër nga grafiku oretor, blerësit mbrojtën mesataren lëvizëse 200-orëshe gjatë orëve të natës. Aktualisht, tregu ndesh rezistencë afër mesatares lëvizëse 100-orëshe, e cila pozicionohet rreth 4,088 dollarëve. Më tej, fusha nga 4,140 deri në 4,146 dollarë ka kufizuar vazhdimisht tentativat për rritje gjatë gjithë muajit, duke përbërë një pengesë tjetër të rëndësishme rezistence.
Në pamjen më të gjerë, një lëvizje e qëndrueshme rritëse kërkon kalimin e zonës prej 4,200 dollarësh, ku një zonë rezistence përkon me mesataren lëvizëse 100-ditore. Derisa kjo zonë të thyhet, rikuperimet drejt rritjes mbeten të pakonfirmuara.
Në drejtimin rënës, objektivat teknike mbeten të përcaktuara qartë. Grafiku javor nxjerr në pah nivelin prej 4,000 dollarësh si një prag kyç psikologjik, i mbështetur më tej nga mesatarja lëvizëse 100-javore që ndodhet pak më poshtë tij, në 3,898 dollarë. Kjo zonë e kombinuar pati ndalur rënien në fund të muajit të kaluar, duke përforcuar rolin e saj si një mbështetje kritike.
Një thyerje e vendosur nën nivelet 4,000 dhe 3,898 dollarë do të ishte e nevojshme për ta anuar ndjenjën e tregut në favor të shitësve, duke hapur potencialisht rrugën drejt zonës së ardhshme të mbështetjes rreth 3,500 dollarëve. Për momentin, tregu mbetet i bllokuar mes blerësve që nuk kanë vrull dhe shitësve që nuk po arrijnë të shkaktojnë një thyerje të thellë të tregut.




