Yield-et e bonove të thesarit 12-mujore kanë frenuar rritjen e tyre të pandërprerë pesëmujore, duke u stabilizuar në nivelin 2.83% në ankandin e fundit. Ky zhvillim vjen si një frymëmarrje e përkohshme për financat publike, por treguesit e brendshëm sugjerojnë se ky stabilitet është artificial dhe i brishtë. Alb.Markets vlerëson se ky frenim nuk reflekton një rikthim të interesit të investitorëve, por më tepër një manovrim taktik të Ministrisë së Financave për të shmangur rritjen e mëtejshme të kostos së borxhit, pikërisht përpara një vale masive huamarrjeje të planifikuar për fundvit.

Kërkesa në ankand ka vijuar të mbetet e vakët, duke arritur në 6.99 miliardë lekë, thuajse aq sa shuma e shpallur për financim. Për të parandaluar rritjen e yield-it në 2.85%, Ministria e Financave zgjodhi të mos i pranonte të gjitha ofertat, duke e ulur vlerën e emetimit të pranuar në 6.69 miliardë lekë. Kjo strategji e mbrojtjes së çmimit tregon se tregu mbetet nën presion dhe se investitorët po kërkojnë yield-e më të larta për të kompensuar rreziqet inflacioniste dhe gjeopolitike.

Analiza e Alb.Markets

Ndalimi i rritjes së yield-eve mbështetet gjithashtu nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për të mbajtur normën bazë të interesit të pandryshuar në 2.5%. Me rënien e inflacionit bazë në 2.8% në muajin gusht dhe inflacionit të përgjithshëm në 3.2%, presioni i menjëhershëm mbi bankën qendrore për të shtrënguar politikën monetare në mbledhjen e tetorit ka rënë ndjeshëm. Megjithatë, ky lehtësim mund të jetë i përkohshëm.

Sfidat reale për tregun e titujve shtetërorë pritet të shfaqen në tremujorin e katërt të vitit. Sipas kalendarit zyrtar të huamarrjes, qeveria planifikon të financojë 87 miliardë lekë në tregun e brendshëm, një rritje prej 9.4% krahasuar me tremujorin e tretë dhe 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Duke zbritur rreth 42 miliardë lekë instrumente që maturohen, huamarrja neto do të arrijë në rreth 45 miliardë lekë – një vlerë kjo pothuajse e barabartë me të gjithë huamarrjen neto vjetore të parashikuar.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera neto e huamarrjes për tremujorin e tretë [referuar në kontekst të tremujorit të katërt] vlerësohet në rreth 45 miliardë lekë, praktikisht e barabartë me të gjithë huamarrjen vjetore neto të parashikuar në planin vjetor të huamarrjes. Banka e Shqipërisë

Një argument kundër skenarit të rritjes së yield-eve është se likuiditeti i mjaftueshëm në sistemin bankar dhe dëshira e bankave për të investuar në instrumente të sigurta pa rrezik mund të absorbojnë këtë ofertë të shtuar pa krijuar presione të forta mbi çmimet. Megjithatë, ky argument qëndron vetëm nëse kërkesa e investitorëve privatë dhe institucionalë rritet paralelisht. Duke pasur parasysh kërkesën aktualisht të vakët, rritja e ofertës së bonove nga qeveria ka shumë të ngjarë të detyrojë shtetin të ofrojë yield-e më të larta për të tërhequr kapitalin e nevojshëm, duke e bërë këtë pauzë aktuale thjesht një qetësi përpara stuhisë së vjeshtës.

Përfundimi i Alb.Markets

Ndonëse yield-et u stabilizuan në 2.83% falë ndërhyrjes selektive të qeverisë, presioni i madh i huamarrjes prej 87 miliardë lekësh në tremujorin e katërt pritet të zhbëjë këtë tendencë, duke i shtyrë sërish yield-et drejt rritjes.